Dalja në skenë e një aktakuze paraprake për dhunë në familje ka zbuluar detaje të rënda për Astrit Isufin, të dyshuarin kryesor për vrasjen e dy vëllezërve Morina në fshatin Gollubovc të Malishevës.
Dokumentet gjyqësore tregojnë se më 30 mars të këtij viti, ditën e Bajramit, Isufi kishte sulmuar brutalisht bashkëshorten e tij, të cilën e kishte rrahur me shuplaka, grushte dhe madje me kabllo, ndërsa fëmijët kishin qenë prezentë. Ai e kishte kërcënuar atë edhe më parë se “nëse ndahet, do t’ia vrasë gjithë familjen”.
Për këtë rast, Gjykata Themelore e Prishtinës e kishte dënuar Isufin me 5 muaj burg dhe gjoba financiare. Megjithatë, Gjykata e Apelit e kishte ulur dënimin në 3 muaj burg, duke arsyetuar se dënimi më i butë “mjaftonte për efektin e përgjegjësisë”.
Thuhet se gruaja e Isufit kishte raportuar më herët edhe se ai posedonte armë zjarri, ndërsa për shkak të xhelozisë, ai nuk e lejonte të përdorte telefon dhe ushtronte dhunë të vazhdueshme.
Aktualisht, Isufi ndodhet në QKUK nën kujdes mjekësor, pasi dyshohet se është plagosur gjatë përleshjes me viktimat. Policia konfirmoi se në vendin e ngjarjes janë gjetur dy armë dhe se të dyja palët kanë përdorur armë zjarri.
Pas vrasjes, Isufi ishte në arrati për më shumë se 15 orë, ndërsa u arrestua mëngjesin e sotëm në fshatin Plloqicë.
Hetimet po vazhdojnë nën drejtimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

