Vushtrri, 10 nëntor 2025 – Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Vushtrri, i cili dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në ajër gjatë orëve të hershme të mëngjesit të sotëm.
Sipas njoftimit të Policisë, hetuesit e Stacionit Policor në Vushtrri kanë zhvilluar hetime që kanë çuar në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit.
“Hetuesit e Stacionit Policor në Vushtrri, pas hetimeve të zhvilluara, kanë arrestuar një person të dyshuar pasi që i njëjti dyshohet se sot në orët e hershme të mëngjesit ka shtënë me një armë zjarri në ajër,” thuhet në njoftim.
Nga i dyshuari është sekuestruar një pistoletë, që dyshohet të jetë përdorur gjatë incidentit. Pas intervistimit, ndaj tij është iniciuar rasti për veprat penale “Përdorim i armës” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.
Me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

