Nënkryetari i AAK-së, Besnik Tahiri, ka reaguar pas mbajtjes së Zgjedhjeve Lokale 2025, duke thënë se vendi po përballet me të njëjtat probleme që, sipas tij, janë identifikuar që para tetë vitesh. Tahiri theksoi se procesi zgjedhor vazhdon të vuajë nga çështje strukturore, të cilat nuk po marrin zgjidhje.
Sipas tij, balotazhi mbetet një procedurë që “nuk i shërben askujt”, duke argumentuar se në 18 komuna ku u zhvillua gara, vetëm në një komunë pati ndryshim rezultati mes rundit të parë dhe të dytë.
Ai nënvizoi se pjesëmarrja në zgjedhje vazhdon të mos pasqyrojë realitetin demografik, duke pretenduar se krahasimi me regjistrimin e fundit të popullsisë tregon një “dalje të rritur artificialisht”.
Tahiri propozoi që vendi të shqyrtojë modele alternative, si sistemi preferencial, i cili sipas tij, do të shmangte balotazhin dhe do të pasqyronte më mirë vullnetin e votuesve.
Ai ngriti shqetësim edhe për nivelin e lartë të votave të pavlefshme, duke e konsideruar këtë tregues të mungesës së edukimit zgjedhor dhe të dobësisë së demokracisë vendore.
“Problemet janë të njëjtat prej vitesh. Këto janë mësimet që s’po i mësojmë,” ka deklaruar Tahiri.

