Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së, Arjanit Elshani, ka deklaruar se procesi i zgjedhjeve në Mitrovicën e Jugut është seriozisht i cenuar dhe se integriteti i procesit zgjedhor është vënë në dyshim pas dyshimeve për manipulim të fletëvotimeve.
“Ajo çfarë kemi parë është shumë shqetësuese për ne si PDK dhe si anëtarë të KQZ-së. Kemi dorëzuar një ankesë në PZAP dhe procesi do të vazhdojë në të gjitha instancat kompetente,” tha Elshani për Periskopin.
Sipas tij, fakti që disa fletëvotime kanë pasur kode të pasakta, me numra të ndryshëm serikë nga vendvotimet përkatëse, e bën të pamundur të konsiderohet proces i rregullt.
“Konsiderojmë se procesi në Mitrovicë është i dëmtuar dhe se është cenuar integriteti i zgjedhjeve. Ne presim që institucionet të veprojnë me transparencë të plotë,” u shpreh ai.
Ndërkohë, në orën 16:00 pritet të rifillojë procesi i verifikimit të votave, nën mbikëqyrjen e dy hetuesve policorë.

