Pragë, 12 nëntor 2025 – Ambasadorët e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian kanë dhënë dritën jeshile për lehtësimin e mekanizmit të pezullimit të liberalizimit të vizave, njofton Radio Evropa e Lirë. Vendimi pritet të hyjë në fuqi gjatë muajit dhjetor të këtij viti.
Ky hap vjen pas mbështetjes që Parlamenti Evropian i dha muajin e kaluar ndryshimit të legjislacionit që e bën më të lehtë pezullimin e udhëtimit pa viza për shtetasit e vendeve që paraqesin rreziqe sigurie ose shkelin të drejtat e njeriut.
Sipas raportimeve të gazetarit të REL-it, Rikard Jozwiak, procesi pritet të zhvillohet në këto faza:
-
17 nëntor: Ministrat e BE-së pritet ta miratojnë zyrtarisht marrëveshjen;
-
26 nëntor: Ceremonia e nënshkrimit në Parlamentin Evropian;
-
Dhjetor: Rregullorja hyn në fuqi.
Reforma prek 61 vende që aktualisht gëzojnë udhëtim pa viza në zonën Shengen, përfshirë edhe Kosovën. Sipas Jozwiak, ky mekanizëm mund të zbatohet së shpejti ndaj disa kategorive të shtetasve të Gjeorgjisë.
Komisioni Evropian, në raportin e tij të fundit, ka qenë kritik ndaj Gjeorgjisë për ligje që kufizojnë hapësirën civile dhe median e pavarur, duke theksuar se veprimet e fundit e kanë bërë atë një “vend kandidat vetëm në emër”.
Mekanizmi i ri do t’i mundësojë Komisionit Evropian që, në rast shqetësimesh për sigurinë apo shkelje të të drejtave të njeriut, të rikthejë përkohësisht ose përgjithmonë regjimin e vizave për një vend të caktuar.

