Lajmi se zyra e prokurorit italian ka nisur një hetim për të ashtuquajturit “turistë snajperë”, shtetas të huaj të cilët, sipas dëshmitarëve dhe burimeve të inteligjencës, u paguan për të qëlluar civilë gjatë rrethimit të Sarajevës, ka mbërritur edhe në mediat amerikane.
New York Post raporton mbi akuzat e prokurorëve italianë se “turistët snajperë” të pasur dyshohet se kanë paguar deri në 90,000 dollarë për të synuar njerëz gjatë viteve 1990, me kompensim shtesë për vrasjen e fëmijëve, si pjesë e të ashtuquajturave “safari njerëzor” në Sarajevë.
Hetimi u nis pas pretendimeve të autorit italian Ezio Gavazzeni, i cili pretendon se ka zbuluar prova se forcat e entitetit serb të Bosnjës po merrnin para në mënyrë që të huajt e pasur të mund të qëllonin rreth Sarajevës gjatë rrethimit katërvjeçar të qytetit.
Gjatë konfliktit 1992-1996, më shumë se 10,000 njerëz humbën jetën në Sarajevë nga plumbat e snajperëve dhe granatimet. Gavazzeni thotë se “turistët” përfshinin gjermanë, francezë, britanikë dhe njerëz nga vende të tjera perëndimore. “Nuk kishte motive politike ose fetare. Ata ishin njerëz të pasur që vinin atje për argëtim dhe kënaqësi personale”, thotë Gavazzeni.
Ai shton se për herë të parë hasi në raportime për këto raste në median italiane në vitet 1990 dhe nisi një hetim më të thellë pas një dokumentari të vitit 2022 për një ish-ushtar serb i cili pretendonte se të huajt po qëllonin banorët e Sarajevës nga kodrat përreth. Një nga burimet e tij kryesore ishte një ish-oficer i inteligjencës së Bosnjes.
Hetimi i udhëhequr nga prokurorët në Milano aktualisht po përpiqet të identifikojë të gjithë italianët që ishin të përfshirë në këtë “sulm ndaj civilëve”. Gavazzeni pretendon se ai tashmë ka zbuluar identitetin e disa prej tyre dhe ata së shpejti do të thirren për t’u marrë në pyetje.
Ambasada boshnjake në Milano tha se autoritetet e Bosnjes ofrojnë “bashkëpunim të plotë” në hetim. “Ne jemi të etur të mësojmë të vërtetën rreth këtij akti mizor në mënyrë që të mbyllim një kapitull në historinë tonë.” “Kam informacione të caktuara që do t’i ndaj me hetuesit”, tha zëdhënësi, raporton New York Post

