Në selinë e Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës është hapur një ekspozitë e veçantë që i dedikohet kapitenit të Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti – një prej figurave më të rëndësishme dhe më frymëzuese për të rinjtë e kësaj treve.
Kryetari i Këshillit, Enkel Rexhepi, ka bërë të ditur se në ambientet e KKSh-së është vendosur “Këndi i Beratit”, një hapësirë e posaçme me fanellën e Kombëtares, e cila do të mbetet aty përgjithmonë si simbol frymëzimi për gjeneratat e reja.
Sipas Rexhepit, ky kënd synon t’u tregojë të rinjve se edhe nga Lugina e Preshevës mund të arrihen majat e futbollit evropian, ashtu siç ka bërë vetë Gjimshiti.
“‘Këndi i Beratit’ do të jetë pjesë e përhershme e KKSh-së, një hapësirë ku të rinjtë tanë mund të admirojnë rrugëtimin e tij dhe të besojnë se edhe nga Lugina mund të ngjitesh në majat e Evropës”, ka shkruar ai.
Ekspozita është realizuar në kuadër të programit kulturor “Nëntor Lugine”, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit të Shqipërisë, nën monitorimin e Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Beograd dhe përkrahjen e Këshillit Kombëtar Shqiptar.
Rexhepi ka uruar që ky kënd frymëzues të nxisë ambicie, besim dhe krenari, duke i motivuar të rinjtë të bëhen ambasadorë të Luginës në arenën ndërkombëtare.
“Veç Shqip, veç sukses”, ka përfunduar ai./Qendra.INFO

