Publikimi i dokumenteve të reja nga Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA ka sjellë zhvillime të papritura lidhur me “Dosjet Epstein”, duke përfshirë edhe përmendjen e emrit të Miroslav Lajčak – ish-ministër i jashtëm i Sllovakisë dhe ish-i dërguar i BE-së për dialogun Kosovë–Serbi.
Sipas Euractiv dhe mediave sllovake, email-e të bëra publike këtë javë tregojnë se Jeffrey Epstein, abuzues seksual i dënuar që vdiq në burg në vitin 2019, i ishte referuar Lajčakut në disa komunikime. Në një prej mesazheve të vitit 2019, Epstein e përshkruante një kontakt si “ministrin e jashtëm sllovak dhe, më e rëndësishmja, mik”. Ai përdorte edhe nofkën “Miro”, e njohur në Sllovaki, duke sugjeruar njohje personale.
Në dokumentet e vitit 2018, të raportuara fillimisht nga portali 360-tka.sk, Epstein shkruante se “Miro po vjen në Palm Beach për të hartuar strategji”, në referencë për rezidencën e tij në Florida.
Email-et e publikuara zbulojnë gjithashtu interesin e Epstein në zhvillimet politike brenda Sllovakisë. Ai kishte komentuar dorëheqjen e ish-kryeministrit Robert Fico pas vrasjes së gazetarit Jan Kuciak, si dhe zgjedhjen e Zuzana Čaputová-s presidente në vitin 2019, duke pretenduar se Lajčak “do të kishte qenë kandidat më i mirë”.
Dokumentet e publikuara përfshijnë mijëra faqe që lidhen me rrjetin e gjerë të kontakteve të Epstein me figura politike, të biznesit dhe akademike në mbarë botën. Nuk ka ndonjë dëshmi që sugjeron përfshirje të Lajčakut në aktivitetet kriminale të Epstein; përmendjet mbeten pjesë e komunikimeve të vetë Epstein.
Publikimi i email-eve vijon të ngjallë reagime në mbarë botën, ndërsa përfshirja e emrave të njohur politikë po tërheq vëmendje të madhe në vendet përkatëse.

