Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, ka nisur një nismë të re humanitare në Londër, e cila synon të mbështesë refugjatët, personat e pastrehë dhe ata që përballen me pasiguri ushqimore gjatë muajve të ftohtë të dimrit. Fushata po mbështetet nga organizata Comic Relief, e cila ka premtuar 500,000 funte për realizimin e kësaj iniciative.
Në një intervistë për Evening Standard, Rita ka ndarë historinë e saj personale si fëmijë refugjat, duke treguar se familja e saj u largua nga Kosova për të gjetur siguri në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo tha se përvoja e vështirë e emigrimit dhe sfidat e nisjes së një jete të re kanë ndikuar thellësisht në formimin e saj si artiste dhe si njeri.
“Rritja si një fëmijë refugjat formoi gjithçka rreth asaj që jam. Guximi i prindërve të mi, që lanë gjithçka për një të ardhme më të mirë, ka ndikuar shumë në jetën time. Muzika ka qenë shpëtimi im,” u shpreh ajo.
Rita theksoi se mikpritja dhe mbështetja që familja e saj mori gjatë viteve të para në Britani kanë qenë vendimtare. Sipas saj, hapja dhe ndihma ndaj të tjerëve janë ajo që e bëjnë një komunitet të fortë.
Me këtë fushatë, artistja synon të rrisë ndërgjegjësimin dhe të sigurojë mbështetje konkrete për personat në nevojë, duke ofruar një zë për refugjatët dhe të pastrehët në Londër. Iniciativa është pritur me entuziazëm dhe pritet të ketë ndikim të gjerë në komunitetet më të prekura nga kriza sociale dhe ekonomike.
Nëpërmjet angazhimit të saj, Rita Ora vazhdon të tregojë se suksesi dhe humanizmi mund të ecin paralelisht, duke përdorur famën dhe platformën e saj për t’i ardhur në ndihmë atyre që kanë më shumë nevojë./Qendra.INFO
