Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas njoftimit të Gjykatës Supreme që ka aprovuar kërkesëpadinë e Odës Ekonomike të Kosovës kundër ZRRE-së. Sipas saj, vendimi konfirmon se liberalizimi i tregut të energjisë është bërë në mënyrë joligjore, ashtu siç LDK kishte paralajmëruar prej kohësh.
Bajrami theksoi se procesi i liberalizimit ka ndodhur në kurriz të rreth 1300 bizneseve vendore, ndërsa përfitimet – sipas saj – kanë shkuar te tregtarët e energjisë të lidhur me qeverinë.
“Kemi thënë me qindra herë se mënyra e liberalizimit është joligjore. Vendimi i Gjykatës Supreme i vërteton të gjitha ato që kemi theksuar më herët”, ka deklaruar ajo.
Deputetja shtoi se problemi më i madh mbetet, sipas saj, ndikimi i ashtuquajturës “mafi energjetike”, duke kërkuar reagim të organeve të drejtësisë.
Ajo kërkoi që vendimi i Supremes të zbatohet menjëherë, ndërmarrjet të rikthehen në shërbimin universal, ndërsa vendimmarrësit e përfshirë në vendime joligjore të largohen nga institucionet dhe të mbajnë përgjegjësi për dëmet e shkaktuara.
“Pyetja është pse nuk po luftohet kjo mafi? Përgjigjen e dini të gjithë”, ka shkruar Bajrami./Qendra.INFO

