Avokati i aksionarit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, Valon Ademi, Besnik Berisha, ka folur sot për akuzat që rëndojnë mbi biznesmenin Behgjet Pacolli, i cili është nën hetim nga Prokuroria e Tiranës për mashtrim me pasoja të rënda dhe transferim të aksioneve drejt një kompanie “offshore”.
Berisha deklaroi se Pacolli ka kryer negociata për koncensionin e Aeroportit të Vlorës pa dijeninë e ortakut të tij, duke keqpërdorur aksionet që i përkisnin “2A Group”, kompani në pronësi të Valon Ademit. Ai theksoi se beson se hetimet do të përfundojnë me aktakuzë ndaj Pacollit.
Sipas avokatit, kontrata e huamarrjes mes “Mabco Constructions”, në pronësi të Pacollit, dhe “Delphos Securities”, një kompani e lidhur me strukturë “offshore”, në fakt përbën shitje të Aeroportit.
“Për ne, kjo kontratë është huamarrje vetëm në letër. Në realitet është transferim dhe shitje e një aseti kombëtar,” tha Berisha, duke shtuar se kjo marrëveshje rrezikon sigurinë kombëtare dhe shkel të drejtat e aksionarëve.
Berisha sqaroi se Pacolli ka mohuar ekzistencën e një kontrate të noterizuar që i jepte “2A Group” 40% të aksioneve nga “Mabco Constructions”, ndonëse kompania e Valon Ademit zotëron provat ligjore për këtë.
Sipas tij, “momenti i mashtrimit” ka nisur që në vitin 2020, ndërsa është konkretizuar këtë vit kur Pacolli ka nënshkruar një marrëveshje për dorëzimin e aseteve të Aeroportit të Vlorës te “Delphos Securities Sarl”, një kompani me bazë në Luksemburg, e njohur si “kompani guackë”.
Mbetet në duart e Prokurorisë të verifikojë akuzat për mashtrim, obstruksion dhe shkelje të të drejtave të aksionerëve që kanë përfshirë një nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore të vendit./Qendra.INFO

