Komandanti i NATO-s, Wesley Clark, ka përmbyllur dëshminë e tij në Gjykatën Speciale të Hagës, duke lënë një gjurmë të fortë gjatë procesit. Ai u bë i vetmi dëshmitar që gjyqtarët nuk i bënë asnjë pyetje, ndonëse zakonisht ata ndërhyjnë vazhdimisht dhe udhëzojnë dëshmitarët.
Jo vetëm kaq, Clark u lejua të mbante një fjalim të plotë përfundimtar, privilegj që nuk iu është dhënë asnjë dëshmitari tjetër.
UÇK-ja luftoi kundër shtypjes – nuk janë terroristë
Në fjalimin e tij, Clark theksoi se pjesëtarët e UÇK-së luftuan për liri dhe mbrojtjen e të drejtave të tyre, dhe nuk mund të konsiderohen terroristë. Ai theksoi se:
-
Hashim Thaçi nuk ka pasur kontroll të centralizuar mbi UÇK-në
-
Nuk ka prova që Thaçi të ketë dhënë urdhra apo të ketë qenë komandant ushtarak
-
Akuzat për trafikim organesh ishin dezinformim dhe nuk kishin bazë reale
Clark e krahasoi situatën me shembuj historikë, duke përmendur revolucionin amerikan dhe ngjarjet aktuale në Ukrainë, duke theksuar se gjykatat duhet të kuptojnë kontekstin dhe rrethanat kur vlerësojnë veprimet e personave që luftojnë për liri dhe mbijetesë.
Akuzat për organe, sipas Clark: “Qesharake, dezinformim rus”
Ai kujtoi se akuzat e ngritura në vitet 2007-2008 për trafikim organesh nuk kishin asnjë logjikë dhe ishin pjesë e një fushate dezinformuese, të cilën ai e konsideroi qesharake.
Clark përfundoi dëshminë duke nënvizuar rëndësinë e respektimit të historisë dhe kontekstit kur gjykatat shqyrtojnë përgjegjësinë penale të individëve.

