Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve rreth formimit të Qeverisë së re, duke thënë se nga seanca e sotme nuk pret absolutisht asgjë, përveç konfirmimit se janë humbur edhe 15 ditë kot.
Abdixhiku theksoi se Lëvizja Vetëvendosje e ka ditur që në fillim se nuk i ka numrat, por megjithatë ka vendosur të shfrytëzojë të gjithë afatin 15-ditor.
“VV e ka ditur që nuk i ka numrat. E kemi paralajmëruar krizën. Sërish vendosën t’i shfrytëzojnë 15 ditë, të cilat u humbën pa asnjë rezultat.”
Ai akuzoi Vetëvendosjen se ka inskenuar një “shfaqje teatrale” vetëm për qëllime elektorale.
“Gjithë ky shpenzim kohe është bërë për shou politik. Me disa kundërshtarë imagjinarë, po përgatiten për fushatë.”
Kreu i LDK-së tha se asnjë parti opozitare nuk është kontaktuar nga pushteti për një marrëveshje politike, ndërsa kritikoi hapur edhe vendimin e Presidentes për ta mandatuar Glauk Konjufcën.
Sipas tij, që në momentet e para ishte e qartë se VV nuk kishte siguruar votat e nevojshme, andaj procesi ka qenë i destinuar të dështojë.

