Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka reaguar ashpër ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke u ndalur veçanërisht te Dejona Mihajli, zyrtare e kësaj partie.
Lushtaku, përmes një postimi, ka thënë se është absurde që – siç u shpreh ai – “Dejona, e bija e Aleksandrit të deklaruar si grek” t’u diktojë vendime përfaqësuesve politikë që përfaqësojnë rreth 42% të qytetarëve të Kosovës.
Sipas tij, kjo situatë tregon degradimin e pushtetit aktual dhe mënyrën se si, sipas opozitës, Vetëvendosje po e menaxhon procesin politik në vend.
“Është e papranueshme që vendime madhore për vendin të ndikohen nga njerëz që s’kanë asnjë legjitimitet qytetar,” ka thënë Lushtaku, duke e cilësuar këtë si “tallje me votuesit dhe institucionet”.
Reagimi i tij ka hapur debat të ri në opinion, sidomos pas tensioneve politike për formimin e qeverisë së re dhe diskutimeve rreth ndikimit të individëve brenda VV-së.

