Më shumë se 150 ushtarë kroatë i janë bashkuar misionit paqeruajtës të KFOR-it në Kosovë, një vend që konsiderohet kyç për stabilitetin e rajonit. Lajmi u konfirmua sot nga Ministria kroate e Mbrojtjes.
Sipas njoftimit zyrtar, Kroacia ka kontribuar në KFOR që nga viti 2009 me rreth 2.400 ushtarë, mes të cilëve 140 gra. Kontingjenti i ri prej 151 pjesëtarësh të Forcave të Armatosura kroate tashmë është nisur drejt Kosovës, me ceremoninë zyrtare të zhvilluar në kazermat “Brigada e 3-të e Gardës Kuna” në Gjakovë.
Kontingjenti i 44-të kroat do të vendoset në tre lokacione të ndryshme dhe përbëhet kryesisht nga një kompani e motorizuar e këmbësorisë. Përveç saj, pjesë e misionit janë edhe komponenti i aviacionit, ai i selisë, ekipet këshilluese për zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, si dhe një ekip mjekësor.
Aktualisht, ushtarët kroatë marrin pjesë në dhjetë operacione dhe misione ndërkombëtare me një total prej 297 anëtarësh.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, tha se forcat kroate gëzojnë respekt të lartë për profesionalizmin dhe kontributin e tyre në misionet ndërkombëtare. Ai theksoi se ky angazhim është një dëshmi e rolit konstruktiv të Kroacisë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë globale.

