Në podcastin e tij, legjenda e futbollit turk, Hakan Sukur, ka folur me fjalët më të mëdha për Kombëtaren e Kosovës, duke e quajtur arritjen në play-off si një sukses gjigant – sidomos duke parë vështirësinë e grupit ku ishin Zvicra, Sllovenia dhe Suedia.
“Kosova është vendlindja e babait tim, Prishtina. Nuk duhet nënvlerësuar asgjë që ka arritur. Në një grup kaq të fortë, të dalësh në play-off është diçka jashtëzakonisht e madhe,” u shpreh Sukur, duke theksuar se Kosova tregoi karakter, disiplinë dhe identitet të qartë loje gjatë gjithë kualifikueseve.
Ai madje shtoi se Kosova kishte potencialin të dilte edhe e para e grupit, falë paraqitjeve të qëndrueshme dhe planit të qartë taktik.
Sukur paralajmëroi edhe kundërshtaren e radhës:
“Edhe nëse shihen si hallka më e dobët, Sllovakia nuk do ta ketë të lehtë. Nëse luajnë ofensivisht, mund të bien në kurthin e Kosovës.”
Disa prej lojtarëve të Kosovës i vlerësoi veçanërisht për disiplinë dhe karakter, ndërsa shtoi se edhe Turqia nuk do ta ketë aspak të thjeshtë kundër fituesit të këtij dueli.
Në përfundim, Hakan Sukur i dha Kosoves merita maksimale:
“Kosova, të paktën si e dyta, është shumë më e fortë se sa tregon rezultati. Ky ekip e ka dëshmuar se me plan dhe disiplinë mund të arrijë shumë më tepër.”
