Prishtina Mall, qendra më e madhe tregtare në Kosovë, ka përfituar një kredi prej 75 milionë eurosh nga International Finance Corporation (IFC), pjesë e Bankës Botërore, me qëllim të shlyerjes së borxheve të ndërtimit dhe stabilizimit financiar të projektit. Marrëveshja u nënshkrua ditë më parë dhe u shoqërua me një gala mbrëmje ku morën pjesë personalitete të biznesit, politikës dhe botës së showbizit.
Drejtori i Prishtina Mall, Fatmir Zymberi, tha gjatë eventit se marrëveshja me IFC-në është “një arritje e madhe” për qendrën tregtare, duke e paraqitur si hap drejt investimeve të reja. Ai deklaroi se kredia do të përdoret për standardizime të brendshme, certifikime, instalimin e paneleve diellore dhe përgatitjen e hapësirave për brende të reja.
Megjithatë, dokumentet zyrtare të IFC-së tregojnë se një pjesë e madhe e kredisë do të shërbejë edhe për shlyerjen e detyrimeve të vjetra të ndërtimit, përmirësimin e efikasitetit operacional dhe rifinancimin e kapitalit ekzistues. Në dosjen e IFC-së thuhet se financimi do të përdoret për:
-
shlyerjen e detyrimeve ndaj kontraktorëve të ndërtimit;
-
përshtatjen e hapësirave për qiramarrës të rinj;
-
instalimin e paneleve diellore;
-
uljen e kostove të funksionimit;
-
rifinancimin e borxheve të vjetra me kushte të reja.
Kjo konfirmon se kredia nuk është vetëm për zgjerim, por edhe për mbijetesë financiare.
Borxhe nga ndërtimi dhe rifinancim i domosdoshëm
Burime brenda industrisë së ndërtimit thonë se Prishtina Mall ende nuk i ka shlyer plotësisht borxhet ndaj disa kontraktorëve, ndërsa të ardhurat nga qiratë kanë rezultuar më të ulëta se pritjet. Kjo për shkak të marrëveshjeve të favorshme për brendet e huaja dhe faktit se tregu kosovar i konsumit është shumë më i vogël sesa kapaciteti gjigant i objektit.
Duke folur për financimin, Zymberi tha se bankat kosovare nuk e kishin marrë përsipër projektin në fazën fillestare për shkak të rrezikut të madh, prandaj financimi ishte bërë “në mënyrë indirekte” përmes kompanive të tjera të aksionarëve.
Sipas dokumenteve të IFC-së, projekti klasifikohet me “Bank Risk Rating: B”, që nënkupton rrezik të mesëm por të menaxhueshëm.
Një projekt ambicioz, por i mbingarkuar financiarisht
Prishtina Mall u hap me bujë në mars të vitit 2023 dhe u prezantua si qendra më e madhe tregtare në Evropën Juglindore, me 115 mijë metra katrorë hapësirë dhe mbi 200 njësi biznesi. Por vetëm dy vite pas hapjes, qendra përballet me vështirësi financiare të dukshme.
Ekspertët e ekonomisë e konsiderojnë këtë situatë të zakonshme për projektet gjigante që nuk arrijnë të sigurojnë të ardhura të qëndrueshme në raport me shpenzimet dhe borxhet.
A do të mjaftojë kredia?
Zymberi mohoi se Prishtina Mall po përballet me krizë financiare, duke thënë se “asnjë bankë nuk jep kredi nëse ke krizë”, ndërsa përdori një metaforë të njohur: “Banka, kur bie shi ta merr çadrën; kur ka diell, ta sjell për hije.”
Megjithatë, faktet tregojnë se 75 milionë eurot do të përdoren edhe për të shuar borxhet e vjetra dhe për të ruajtur funksionalitetin e qendrës. Nëse Prishtina Mall nuk arrin të rrisë të ardhurat dhe numrin e vizitorëve, barrën e re të borxhit do ta ketë edhe më të vështirë ta përballojë.
Prishtina Mall është në pronësi të 14 aksionarëve kosovarë dhe ishte menduar si simbol i kapitalit vendor dhe modernizimit të konsumit në Kosovë. Por dy vitet e para të operimit kanë treguar se projekti ka nevojë për mbështetje të jashtme për të qëndruar në këmbë./Periskopi

