Prishtinë, 24 nëntor – Një grabitje e armatosur ka ndodhur sot rreth orës 14:00 në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, ku janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri. Policia e Kosovës ka rrethuar zonën pasi dyshohet se objektiv i grabitësve ka qenë një furgon që transportonte para.
Sipas informacioneve të para, në grabitje dyshohet të kenë qenë të përfshirë dy persona, të cilët pas aktit kriminal janë larguar me motoçikletë në drejtim të panjohur.
Në njoftimin zyrtar, Policia ka bërë të ditur se nga të shtënat nuk raportohet për persona të lënduar. Hetuesit policorë, në bashkëpunim me Prokurorinë, po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarve, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë informacione të mundshme të kontaktojnë organet kompetente.

