Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kujtim Shala, ka reaguar pas mbledhjes së Kryesisë së LDK-së, duke bërë të ditur se partia ka nominuar zyrtarisht Lumir Abdixhikun për kryeministër dhe ka miratuar agjendën për fushatën zgjedhore.
Në postimin e tij në Facebook, Shala vendosi theksin te rëndësia e datës 28 dhjetor, të cilën e quajti “datë historike” për Kosovën.
Sipas Shalës, kjo datë duhet të shënojë momentin kur qytetarët, përmes votës së tyre, e nxjerrin vendin nga “cikli i izolimit, shpërdorimeve, uzurpimit të pushtetit dhe rrënimit të institucioneve”.
Ai theksoi se LDK është e përgatitur për fushatën dhe ndryshimin që, sipas tij, vendi ka nevojë urgjente.
“Na priftë e mbara!” – përfundoi Shala, duke dhënë mesazhin e tij të qartë për mobilizim dhe besim në rikthimin e stabilitetit institucional./Qendra.Info
