Një zyrtar në KQZ i ka thënë VOX-it se një parti politike mund të tërhiqet nga aplikimi. Kjo do të ishte një mundësi për Nismën – që nëse nuk është e gatshme të sfidohet si e vetme, të garojë nën emrin e ndonjë subjekti tjetër politik.
Nisma për Kosovën ka aplikuar për pjesëmarrje si e vetme në zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit.
Por, gjërat mund të ndryshojnë, nëse ajo dëshiron, deri më 7 dhjetor.
Kjo datë është afati i përcaktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për dorëzimin e listave për kandidatë për deputetë.
Një zyrtar në KQZ i ka thënë VOX-it se një parti politike mund të tërhiqet nga aplikimi.
Kjo do të ishte një mundësi për Nismën – që nëse nuk është e gatshme të sfidohet si e vetme, të garojë nën emrin e ndonjë subjekti tjetër politik.
“Ligji nuk e ndalon tërheqjen nga gara si subjekt politik. Në rastin e Nismës, ajo mund të dërgojë njoftim se tërhiqet nga gara, e më pas kandidatët e saj mund të jenë në listë të ndonjë partie tjetër, por pa emrin e Nismës”, ka theksuar ky zyrtar i KQZ-së.
Subjekti i Fatmir Limajt kishte hyrë në Parlament me tre deputetë në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, përmes koalicionit me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës. Por, më pas i ndau rrugët dhe negocoi një koalicion të mundshëm me Vetëvendosjen – por nuk ndodhi.
Nga momenti kur u kuptua se vendi po shkon në zgjedhje, Nisma ishte në negociata me Lidhjen Demokratike të Kosovës për një koalicion parazgjedhor. Por, ato nuk rezultuan pozitive, pasi burimet thonë se kishte kundërshtime brenda LDK-së, dhe po ashtu, Nisma refuzonte të bëhej pjesë e listës pa emrin e saj.
Ndërkohë, ka pasur raportime se janë zhvilluar diskutime edhe me Partinë Demokratike të Kosovës.
Kur garoi si e vetme, Nisma mori 21 mijë e 997 vota, apo 2.523% – çka e la jashtë Kuvendit.
E në zgjedhjet lokale, ajo vazhdon ta mbajë Komunën e Malishevës.

