Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka publikuar një reagim të gjatë ndaj kryeministrit në largim, Albin Kurti, duke e akuzuar atë për “hipokrizi politike”, “bashkëpunime të dyshimta” dhe “tradhti ndaj interesave të qytetarëve”.
Musliu rikujton deklaratat e Kurtit pas lirimit nga burgu, duke i cilësuar si paralajmërim të një qasjeje të dëmshme për Kosovën. Ajo e kritikon Kurtin për, siç thotë, bashkëpunime me figura serbe, marrëveshje politike me Listën Serbe dhe pranimin e vetmenaxhimit, të cilin e quan “version i Republika Srpska”.
Në reagim, ajo e akuzon qeverinë Kurti për degradim të institucioneve, sulme ndaj mediave, rritje të çmimeve, korrupsion, humbje të rezervave shtetërore dhe izolim ndërkombëtar. Sipas Musliut, “eksodi masiv prej mbi 250 mijë qytetarësh” është një nga pasojat më të rënda të qeverisjes aktuale.
Duke iu referuar zgjedhjeve të 28 dhjetorit, Musliu thotë se qeveria ka ashpërsuar diskursin publik dhe po përpiqet të krijojë përçarje mes qytetarëve brenda dhe jashtë vendit. Ajo thekson se Kurti po garon në zgjedhje si pjesë e një koalicioni, duke e interpretuar këtë si “pranim të realitetit politik”.
Në fund, Musliu shprehet se “më 28 dhjetor, populli do të japë përgjigjen ndaj tradhtisë dhe mashtrimit”, duke theksuar se qytetarët e Kosovës nuk mund të manipulohen me favore të momentit.

