Beograd, 1 dhjetor 2025 – Një reagim i fortë ka ardhur nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Beograd, pasi gazeta “Politika” publikoi sot një artikull ku pretendonte se Londra po “mbledh armiqtë e Serbisë”. Ambasadori britanik Edward Ferguson i ka dërguar një letër të drejtpërdrejtë redaksisë, duke e akuzuar gazetën për publikim të pavërtetash.
Sipas Fergusonit, pretendimi se Serbia nuk ishte ftuar në takimin e organizuar në bordin e anijes HMS Richmond në Shqipëri është i rremë. Ai thekson se Serbia ishte zyrtarisht e ftuar, por vetë zgjodhi të mos marrë pjesë.
Ambasadori kritikon mungesën e verifikimit të informacionit dhe thotë se standardet profesionale të gazetarisë kërkojnë kontroll faktesh dhe burimesh, sidomos kur bëhen akuza ndaj shteteve të tjera.
Ai shprehet se leximi i çdo takimi rajonal si “komplot kundër Serbisë” dëmton bashkëpunimin në Ballkanin Perëndimor. Ferguson kujton se Britania ka qenë këtë vit nikoqire e Procesit të Berlinit dhe se mbështet fuqishëm nismat rajonale.
Në letër përmendet edhe konferenca e përbashkët ekonomike Mbretëri e Bashkuar – Ballkan Perëndimor, e mbajtur në Beograd më 20 nëntor, ku morën pjesë rreth 300 kompani britanike. Ambasadori shpreson se kjo do të çojë në rritje të tregtisë me Serbinë.\Qendra.Info


