Në 81-vjetorin e lindjes së Presidentit historik Ibrahim Rugova, u zyrtarizua përfshirja e Ukë Ibrahim Rugovës në listën zgjedhore, pas kërkesës së pranuar nga familja Rugova. Kryetari bëri të ditur se këtë vendim e mori me nderim të veçantë, pikërisht në ditën që shënon lindjen e arkitektit të pavarësisë së Kosovës.
Gjatë vizitës së sotme te zonja Fana Rugova dhe familja Rugova, u konfirmua kandidimi i Ukës në garën e ardhshme zgjedhore. Kryetari i uroi sukses Ukës, duke theksuar se përfshirja e tij është vazhdimësi e një rruge politike të nisur tri dekada më parë nën udhëheqjen e Ibrahim Rugovës.
Në këtë takim u rikujtuan sakrificat, vendosmëria dhe vizioni perëndimor i Presidentit Rugova, i cili mbetet një nga figurat më qendrore të shtetformimit modern të Kosovës. U theksua se mesazhi i tij për forcë paqësore, përkushtim demokratik dhe orientim euroatlantik mbetet aktual edhe sot, në kohën kur vendi përballet me sfida të reja.
Presidenti Rugova, i lindur më 2 dhjetor 1944, u vlerësua edhe një herë si udhëheqës që e shndërroi ëndrrën e lirisë në projekt shtetëror, duke e vendosur Kosovën në hartën ndërkombëtare si çështje të drejtë dhe legjitime. Trashëgimia e tij politike e kulturore u përmend si busulla që vazhdon të udhëheqë orientimin euroatlantik të vendit.
“Presidenti ka vetëm ditëlindje”, u tha në këtë përvjetor, duke nënvizuar se drita dhe rruga e Rugovës mbeten të pandashme nga shteti dhe shoqëria kosovare./Qendra.Info

