Në ekipin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i është bashkuar juristi dhe eksperti i sigurisë, Dardan Krasniqi, i cili është pritur me kënaqësi nga kryesia e partisë për shkak të përvojës së tij të gjatë në fushën e sigurisë dhe angazhimin politik.
Krasniqi, i njohur si pjesëmarrës në tri luftërat çlirimtare—të UÇK-së, UÇPMB-së dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare—është vlerësuar për guximin, disiplinën dhe aftësitë organizative që ka treguar gjatë angazhimit të tij në çështjen kombëtare.
Ai vjen në AAK pas një angazhimi politik dhe shoqëror mbi 25-vjeçar. Dardan Krasniqi ishte polici dhe drejtuesi i parë i Policisë së Kosovës në Malishevë, duke u bërë pjesë e strukturave të rendit menjëherë pas luftës.
Krasniqi rrjedh nga një familje me traditë patriotike: nëna e tij është mësuese, ndërsa babai kolonel i TMK-së dhe një nga themeluesit e celulave të para të UÇK-së.
Gjatë rrugëtimit të tij, fillimisht si luftëtar, më pas në polici, e në vitet e fundit si aktivist dhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, Krasniqi është fokusuar në dy shtylla kryesore: çështjen kombëtare dhe politikën e sigurisë, duke i konsideruar ato si bazë për një shtet të fortë dhe funksional.
AAK u shpreh se angazhimi i Krasniqit po shërben si motiv për bashkimin e shumë patriotëve, ekspertëve dhe qytetarëve të angazhuar, të cilët po e shohin Aleancën si platformën e duhur për të çuar përpara interesat e Kosovës.

