Burime të Qendra.info konfirmojnë se gjatë ditëve të fundit Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka ofruar NISMA-s përfshirjen e pesë kandidatëve brenda listës së saj zgjedhore, pa hyrë në koalicion formal. Një ofertë e njëjtë — po ashtu me 3 kandidatë — i ishte bërë NISMA-s edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), duke treguar se të dy partitë e mëdha po synojnë kapitalizimin e votës që mund të sjellë struktura e Fatmir Limajt në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
Sipas procedurave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, PDK, LDK dhe NISMA tashmë janë paraqitur zyrtarisht si parti të vetme për garën e 28 dhjetorit. Ndërkohë, i vetmi koalicion i paraqitur deri më tani është ai i Lëvizjes Vetëvendosje me Guxo-n dhe Alternativën, të cilat kanë vendosur të paraqiten së bashku në zgjedhje.
Ky zhvillim e bën edhe më të vështirë lëvizjen strategjike të NISMA-s, pasi hyrja në koalicion tradicionale nuk është më e mundshme — por përfshirja e kandidatëve brenda listës së një partie tjetër, pa koalicion formal, mbetet skenari i hapur.
A do të tërhiqet NISMA si parti? Kalkulimet e Limajt
Edhe pse NISMA është e regjistruar si parti e pavarur, burime të Qendra.info theksojnë se Fatmir Limaj po vlerëson seriozisht opsionin që subjekti të tërhiqet nga gara si parti e ndarë dhe të synojë përfaqësim përmes kandidatëve të integruar në listën e PDK-së. Ky skenar shihet si potencialisht më i favorshëm për të siguruar ulëse në Kuvend, sidomos në kushtet kur vota e fragmentuar mund të mos garantojë kalimin e pragut zgjedhor.
Vendimi pritet shumë shpejt
Pavarësisht deklaratave publike të Limajt se nuk ka pasur takime zyrtare me PDK-në dhe se aktualisht është në komunikim me LDK-në, vendimi final i NISMA-s pritet të merret vetëm disa ditë para afatit zyrtar të KQZ-së për paraqitjen e listave përfundimtare.
Deri atëherë, në tavolinë mbeten të gjitha opsionet:
Garim i pavarur si parti,
Marrëveshje me LDK-në,
Hyrje e 5 kandidatëve në listën e PDK-së,
ose një konfigurim tjetër politik që mund të shfaqet në momentet e fundit.
Qendra.info do të vazhdojë raportimin për çdo zhvillim të ri rreth kësaj loje të ndërlikuar politike para zgjedhjeve të 28 dhjetorit.

