Komandanti i misionit të KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka pritur sot në selinë e KFOR-it në Film Citypërfaqësuesit e Listës Serbe. Sipas njoftimit zyrtar, takimi është zhvilluar në kuadër të angazhimeve të rregullta të KFOR-it me aktorët politikë dhe institucionalë në Kosovë.
Gjatë bisedës, palët kanë diskutuar për situatën e sigurisë në vend, me theks të veçantë në katër komunat veriore, ku tensionet kohë pas kohe vijojnë të jenë të pranishme. KFOR ka theksuar se misioni i tij mbetet i pandryshuar: garantimi i sigurisë dhe krijimi i një ambienti të qetë e të sigurt për të gjitha komunitetet.
Ulutaş, siç thuhet në njoftim, ka ritheksuar se KFOR-i do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme, duke koordinuar veprimet e tij me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë.
Lista Srpska, nga ana e saj, ka informuar KFOR-in për shqetësimet e komunitetit serb lidhur me zhvillimet e fundit në terren.
KFOR mbetet prania më e madhe e sigurisë në Kosovë, me mbi 4 mijë trupa, dhe ka përsëritur se është e gatshme të ndërhyjë nëse kërkohet për të ruajtur stabilitetin.

