Gjykimi në rastin e krerëve të UÇK-së, tashmë janë në fazën e fundit.
Edhe zyrtarisht, mbrojtjet e Hashim Thaçit dhe Jakup Krasniqit e kanë njoftuar trupin gjykues në Speciale, se po i mbyllin çështjet e tyre. Pra, nuk ka më dëshmitarë e as prova.
Në parashtresat e publikuara specifikohet se më nuk ka asnjë dokument që do të paraqitet.
“Në përputhje me Urdhrin e Trupit Gjykues, Mbrojtja e Z. Hashim Thaçi konfirmon me anë të kësaj se, në këtë fazë, nuk ka më dëshmitarë për t’u thirrur dhe asnjë material tjetër provues për t’u paraqitur si pjesë e çështjes së Mbrojtjes. Rrjedhimisht, në përputhje me Rregullin 131 të Rregullores, Mbrojtja e mbyll çështjen e saj. Megjithatë, ky njoftim nuk cenon asnjë ndihmë të përshtatshme që Mbrojtja mund të kërkojë në lidhje me çështjet e provave që mbeten pezull para Trupit Gjykues”.

Në të njëjtën linjë, edhe mbrojtja e Krasniqit ka deklaruar se ka përfunduar paraqitjen e provave dhe nuk ka kërkesa të tjera për dëshmitarë të rinj. Të dy palët theksojnë se këto njoftime nuk cenuan të drejtën për të kërkuar ndihma procedurale të nevojshme lidhur me çështje të mbetura pezull.
“Mbrojtja e Jakup Krasniqit nuk ka ndërmend të thërrasë më shumë dëshmitarë ose të paraqesë ndonjë material tjetër provues si pjesë të çështjes së saj. Rrjedhimisht, në përputhje me Rregullin 131 të Rregullores, dhe Urdhrin e Trupit Gjykues, Mbrojtja e Krasniqit me anë të kësaj mbyll çështjen e saj. Ky Njoftim nuk cenon asnjë ndihmë të përshtatshme që Mbrojtja e Krasniqit mund të kërkojë në lidhje me çështjet e provave që mbeten pezull para Trupit Gjykues”, thuhet në parashtresë.

