Rozeta Hajdari, ministrja në detyrë e Tregtisë, edhe pse përballet me aktakuzë, mbetet pjesë e listës së kandidatëve për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ajo është renditur në pozitën e 21-të në listën e publikuar të dielën.
Vetëm tri ditë pas dorëzimit zyrtar të listave në KQZ, Hajdari do të dalë të mërkurën para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku pritet të mbahet seanca e shqyrtimit gjyqësor. Ajo akuzohet nga Prokuroria Speciale për korrupsion, keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe zbulim të fshehtësisë zyrtare, në kuadër të rastit të njohur si “afera e Rezervave Shtetërore”.
Për të njëjtat vepra penale po hetohen edhe dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Hafiz Gara dhe Irfan Lipovica, ndërsa biznesmeni Ridvan Muharremi akuzohet për bashkëkryerje në keqpërdorim të detyrës.
Sipas Prokurorisë, me veprimet e tyre të pandehurit dyshohet se i shkaktuan dëme prej rreth 3 milionë eurosh buxhetit të shtetit dhe kanë zbuluar vendndodhjen e Rezervës Shtetërore.
Aktakuza ndaj tyre është dorëzuar në gjykatë javën e kaluar. /Paparaci.com

