Kolegji i Gjykatës Supreme, njofton se ka refuzuar si të pabazuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) lidhur me vendimin për organizimin e qendrave të votimit jashtë Kosovës, duke vërtetuar në tërësi vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ZP.Anr.3/2025, të datës 30 nëntor 2025.
Gjykata Supreme e ka rrëzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me votimin jashtë përfaqësive diplomatike, duke vërtetuar kështu vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa.
Në njoftim, Supremja ka thënë se nga shqyrtimi i shkresave, ka ardhur në përfundim se ankesa e VV-së është e pabazuar, ndërsa vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe i ligjshëm.
“Gjykata Supreme mbështet vlerësimin e PZAP-së, se lejimi i qendrave të votimit vetëm brenda hapësirave të përfaqësive diplomatike është paraparë si masë mbrojtëse për të siguruar integritetin e votës dhe kjo nuk mund të parashihet si pengesë në ushtrimin efektiv të te drejtave të votimit të shtetasve të Republikës së Kosovës që banojnë jashtë territorit të Kosovës. Paneli, me të drejtë, vlerëson se “Republika e Kosovës iu ka garantuar të drejtën e votës edhe shtetasve që jetojnë jashtë vendit, mirëpo e njëjta gjithashtu ka përcaktuar edhe kushte ligjore për ushtrimin e të drejtës në fjalë”, theksohet në njoftim.

