Ka ndërruar jetë kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës, Bastri Dubova, i cili ishte pjesë e listës zgjedhore të Partisë Liberale Egjiptiane (PLE).
Lajmi është konfirmuar nga kryetari i PLE-së, Veton Berisha, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ku ka shprehur ngushëllimet për familjen, miqtë dhe komunitetin egjiptian.
Sipas njoftimit, Dubova ishte aktivist kombëtar, anëtar i Lëvizjes Egjiptiane dhe kontribuues i vazhdueshëm në jetën shoqërore dhe politike. Për angazhimin e tij, ai ishte shpallur edhe Qytetar Nderi i Komunës së Obiliqit nga kryetari Xhafer Gashi.
Partia Liberale Egjiptiane ka bërë të ditur se në shenjë respekti për jetën dhe veprën e tij, sot ka anuluar të gjitha aktivitetet zgjedhore.
Varrimi i të ndjerit do të bëhet sot, më 16 dhjetor 2025, në fshatin Medvec, Komuna e Lipjanit, duke filluar nga ora 12:00.
“Humbja e tij është e madhe për familjen, miqtë dhe për gjithë komunitetin tonë. Kontributi dhe angazhimi i tij do të mbeten gjithmonë të paharruara”, thuhet në njoftimin e PLE-së.
Bastri Dubova do të kujtohet si një aktivist i palodhur dhe një figurë e respektuar në komunitetin e tij. U prehtë në paqe.

