Gjykata Supreme e Kosovës ka aprovuar ankesën e Besim Kelmendit, ish-ushtrues detyre i Kryeprokurorit të Shtetit, duke anuluar si të kundërligjshëm vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për shkarkimin e tij nga kjo pozitë.
Me këtë aktgjykim, lënda i është kthyer KPK-së në rishqyrtim dhe rivendosje.
Gjykata Supreme ka konstatuar se ankesa e Kelmendit është e bazuar, duke vlerësuar se vendimi i KPK-së është marrë me shkelje thelbësore të procedurës, me vërtetim jo të plotë të gjendjes faktike dhe me zbatim të gabuar të së drejtës materiale.
Sipas aktgjykimit, KPK nuk ka respektuar procedurat ligjore lidhur me rendin e ditës, njoftimin e anëtarëve, sigurimin e kuorumit dhe bazën konkrete ligjore për shkarkim.
Në arsyetim thuhet se vendimi për shkarkimin e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit është i paqartë dhe kontradiktor, pasi nuk përcakton saktë nëse shkarkimi është bërë për shkelje të Kodit të Etikës, për performancë të dobët, për keqmenaxhim apo për arsye të tjera të parapara me ligj.
Gjykata thekson se secila nga këto baza kërkon procedurë të veçantë, vërtetim të fakteve dhe respektim të standardeve minimale të një procesi të rregullt ligjor.
Po ashtu, Gjykata Supreme ka vlerësuar se KPK nuk ka pasur kuorum të mjaftueshëm për mbajtjen e mbledhjes dhe për marrjen e vendimit për shkarkim, pasi takimi në të cilin është marrë vendimi është zhvilluar vetëm me pesë anëtarë, ndërkohë që ligji kërkon gjysmën plus një të anëtarëve të Këshillit. Sipas aktgjykimit, edhe përjashtimi i ushtruesit të detyrës nga votimi nuk e ul kërkesën ligjore për kuorum.
Në përfundim, Gjykata Supreme ka udhëzuar Këshillin Prokurorial të Kosovës që, në rishqyrtimin e rastit, të eliminojë të gjitha shkeljet procedurale, të thërrasë mbledhje me rend dite të qartë, të sigurojë njoftimin e të gjithë anëtarëve dhe kuorumin e nevojshëm, si dhe të bazojë çdo vendim eventual në dispozita të qarta ligjore dhe në vërtetim të plotë të gjendjes faktike.

