Prishtinë, 11–14 dhjetor 2025 – Kryeqyteti i Kosovës ishte për katër ditë radhazi qendra e taekwondos evropiane, duke mikpritur Kampionatin Evropian U21, të organizuar nga Federata e Taekwondo-së e Kosovës nën udhëheqjen e presidentit të saj, Arsim Agushi.
Ky organizim u cilësua si një moment historik dhe krenarie jo vetëm për federatën dhe klubet sportive, por për gjithë vendin. Kampionati theu çdo rekord të mëparshëm të garave sportive të mbajtura në Kosovë, duke shënuar një arritje madhore për sportin kosovar dhe afirmimin e tij në arenën ndërkombëtare.
Ngjarja kishte një domethënie të veçantë edhe për klubin nga i cili rrjedh vetë presidenti i federatës. Arsim Agushi, themelues i klubit dhe ish-president e kryetrajner për 23 vjet, ka luajtur një rol kyç në ndërtimin e bazave të taekwondos në Kosovë, duke formuar gjenerata të tëra sportistësh.
Nga organizimi i garave të para të taekwondos në Kosovë në vitin 2007, deri te realizimi i një Kampionati Evropian në vitin 2025, rrugëtimi i tij përshkruhet si një histori përkushtimi, guximi dhe dashurie për sportin dhe shtetin.
Me punë të palodhshme dhe besim të palëkundur në potencialin e Kosovës, Kampionati Evropian U21 dëshmoi se Kosova di të organizojë, di të përmbushë standardet ndërkombëtare dhe di të shkëlqejë në skenën evropiane.
Federata e Taekwondo-së e Kosovës dhe Arsim Agushi u falënderuan për vizionin, lidershipin dhe besimin, duke dhënë një mesazh të qartë: Kosova mundet dhe po shkruan histori në sportin evropian.

