Në pikën kufitare Horgosh, në hyrje të Serbisë nga Hungaria, janë krijuar kolona shumë të gjata automjetesh, kryesisht të mërgimtarëve që po udhëtojnë drejt vendeve të Ballkanit. Siç shihet edhe në foton e publikuar, qarkullimi është pothuajse i bllokuar, ndërsa pritjet për kalim kufitar zgjasin me orë të tëra.
Fluksi i madh i veturave ka shkaktuar ngarkesë të madhe në të gjitha korsitë, ndërsa kushtet e motit me mjegull e vështirësojnë edhe më shumë situatën. Autoritetet kufitare ende nuk kanë dhënë një njoftim zyrtar për kohëzgjatjen e pritjeve, por udhëtarëve u rekomandohet durim dhe përdorimi i pikave alternative kufitare, nëse është e mundur.
Situata të ngjashme priten edhe në ditët në vijim për shkak të kthimit masiv të mërgimtarëve gjatë festave dhe fundvitit.

