Një veprim i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH) në Preshevë, e njohur ndër vite për retorikë të fortë patriotike, ka ngjallur reagime të ashpra në opinionin publik. Festa e Natës së Fundvitit e organizuar nga kjo parti është shoqëruar me produkte dhe pije të prodhimit serb, përfshirë ujin “Bi Vodan” dhe pije të tjera të mbushura apo të prodhuara në Serbi.
Ky veprim po konsiderohet kontradiktor dhe zhgënjyes, veçanërisht duke pasur parasysh faktin se Komuna e Preshevës dhe Lugina njihen për kompani vendore të suksesshme në prodhimin e pijeve, si Fluidi dhe RC Cola, të cilat tashmë kanë depërtuar edhe në tregjet ndërkombëtare. Po ashtu, në Luginë janë të pranishëm edhe prodhues nga Kosova, si Dea dhe Rugova, produkte që shpesh promovohen si alternativa kombëtare.
Megjithatë, organizatorët e mbrëmjes zgjodhën produkte serbe, një vendim që ka nxitur kritika dhe dyshime mbi sinqeritetin e qëndrimeve patriotike të kësaj partie. Reagimet janë edhe më të forta duke pasur parasysh se PDSH dikur konsiderohej si mbrojtëse e palëkundur e vlerave shqiptare në Serbi, veçanërisht në Luginën e Preshevës.
Në rrjetet sociale dhe qarqe politike, ky veprim po cilësohet si hipokrizi politike dhe largim nga parimet që dikur e identifikonin PDSH-në, duke hapur debat të gjerë për përfaqësimin real të interesave shqiptare në Preshevë./Qendra.INFO

