Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, nën dyshimet për mosraportim dhe raportim të rremë të pasurisë.
Sipas aktakuzës, Ahmeti dyshohet se gjatë periudhës 2018–2022, në kohën sa ushtronte funksionin e kryetarit të komunës, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, duke mos deklaruar deponime në para të gatshme të realizuara personalisht.
Prokuroria bën të ditur se shuma totale e mjeteve të padeklaruara arrin në 172,600 euro.
Në njoftimin zyrtar të Prokurorisë Speciale thuhet se i pandehuri, i identifikuar me inicialet Sh.A., akuzohet për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.
Rasti tashmë i është dërguar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ku pritet të procedohet më tej sipas legjislacionit në fuqi.
Deri në një vendim përfundimtar gjyqësor, Shpend Ahmeti konsiderohet i pafajshëm, në përputhje me parimin e prezumimit të pafajësisë.

