Ceremonia e varrimit të Jahja Mustafës, babait të Salih Mustafës, do të mbahet nesër, në orën 12:00, në fshatin Rimanishtë të Prishtinës.
Familjarë, miq, bashkëluftëtarë dhe të afërm do të mblidhen për t’i dhënë lamtumirën e fundit të ndjerit.
Jahja Mustafa ka ndërruar jetë mëngjesin e së enjtes, pas disa ditësh në gjendje të rëndë shëndetësore. Lajmi i hidhur është konfirmuar nga familjarët e tij.
Ndërkohë, Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar lidhur me vdekjen e Jahja Mustafës, duke shprehur indinjatë për faktin se Salih Mustafës nuk iu lejua ta vizitonte babanë e tij gjatë kohës sa ishte i sëmurë.
Në reagimin e saj, OVL e UÇK-së ka theksuar se refuzimi i Dhomave të Specializuara në Hagë për të lejuar një vizitë humanitare përbën shkelje të rëndë të parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe standardeve minimale të humanizmit.
Sipas OVL-së, Salih Mustafa është i dënuar me aktgjykim të formës së prerë dhe nuk ka ekzistuar asnjë rrezik për ndikim në dëshmitarë apo në proces gjyqësor, duke e konsideruar refuzimin e kërkesës humanitare si të pabazë ligjërisht dhe moralisht.
Organizata ka shprehur gjithashtu ngushëllime për familjen Mustafa, bashkëluftëtarët e Salih Mustafës dhe për të gjithë ata që e kanë njohur Jahja Mustafën.

