Beteja ligjore për ndërtimet pa leje në fshatin Stankaj të Pejës, në zonën e mbrojtur të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ka kaluar në shkallën më të lartë të drejtësisë në Kosovë. Prokuroria Themelore në Pejë ka dorëzuar kërkesë për Mbrojtje të Ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, pas vendimeve liruese të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit.
Rasti lidhet me ndërtimin e vilave pa leje, për të cilat janë akuzuar Arian Hoxhaj, Hatmone Hoxhaj (vjehrra e ish-zëvendëskryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Qerim Ademaj) dhe Sabrije Bicaj (vjehrra e ish-kryesuesit të KGJK-së, Albert Zogaj), për veprën penale “Ndërtim pa leje”.
Hetimet për këtë rast kishin nisur në janar të vitit 2024, pas raportimeve për ndërtimet ilegale në zonën e mbrojtur në Stankaj. Prokuroria kishte konfirmuar se hetimet çuan në ngritjen e aktakuzës, ndërsa si të akuzuar përfunduan vjehrrat e dy ish-drejtuesve të KGJK-së, pasi pronësia e tokës ishte bartur tek ato përmes dhurimit gjatë kohës së hetimeve.
Sipas aktakuzës, ndërtimet janë kryer pa leje në një zonë të mbrojtur, ndërsa Prokuroria ka insistuar se bëhet fjalë për “vepër penale të vazhduar”, duke argumentuar se punimet kanë vazhduar nga prilli deri në gusht të vitit 2019, periudhë kur kishte hyrë në fuqi Kodi i ri Penal që i inkriminon këto veprime si vepra të rënda penale.
Megjithatë, Gjykata Themelore në Pejë i liroi të akuzuarit, duke u bazuar në parimin e ligjit më të butë dhe duke konstatuar se ndërtimet kishin nisur para datës 14 prill 2019, kur ndërtimi pa leje ende nuk ishte i paraparë si vepër penale. Vendimi u vërtetua më pas edhe nga Gjykata e Apelit, me aktgjykimin e datës 28 gusht 2025.
Kolegji i Apelit, i përbërë nga gjyqtarët Mehmet Ndrecaj, Abdullah Ahmeti dhe Zyhdi Haziri, vlerësoi se Prokuroria nuk kishte arritur të provojë dashjen penale dhe se ndërtimi nuk mund të ndëshkohej me ligjin që hyri në fuqi pas fillimit të punimeve.
Ndërkohë, dokumentacioni i siguruar nga Gazeta Insajderi tregon se prona ku janë ndërtuar vilat ishte blerë në vitin 2019 nga bashkëshortet e Albert Zogajt dhe Qerim Ademajt, përkatësisht Adelina Bicaj Zogaj dhe Have Hoxhaj Ademaj, dhe më pas, në vitin 2020, ishte bartur përmes dhurimit tek nënat e tyre.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se është kërkuar nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit që të parashtrojë kërkesë për Mbrojtje të Ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.
Gazeta Insajderi u ka dërguar pyetje Albert Zogajt dhe Qerim Ademajt lidhur me rrethanat e blerjes së pronave, bartjen e tyre tek familjarët dhe konfliktin e mundshëm të interesit, por deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, përgjigje nuk janë pranuar.
Rasti pritet tani të trajtohet nga Gjykata Supreme.

