Avokati nga Serbia, Çedomir Stojkoviq, është arrestuar sot në Beograd me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike, nën dyshimet se përmes postimeve në rrjetet sociale ka bërë thirrje për ndryshim të dhunshëm të rendit kushtetues në Serbi.
Sipas autoriteteve serbe, arrestimi ka ardhur si pasojë e një sërë publikimesh të Stojkoviqit, në të cilat ai ka nxitur qytetarët për përballje me pushtetin aktual, duke përmendur skenarë të ngjashëm me të ashtuquajturin “Euromajdan”. Për këto veprime, atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Çedomir Stojkoviq njihet në opinionin publik si një kritik i ashpër i pushtetit në Serbi dhe si një zë i rrallë në skenën politike serbe që hapur ka kërkuar njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës nga Serbia. Po ashtu, ai kishte bërë thirrje publike që serbët e Kosovës të mos votojnë Listën Serbe në zgjedhjet parlamentare, duke e konsideruar këtë subjekt politik si instrument të drejtpërdrejtë të Beogradit zyrtar.
Së fundmi, Stojkoviq kishte qëndruar edhe në Prekaz, ku kishte vizituar Kompleksin Memorial “Adem Jashari”. Aty, ai kishte deklaruar se askush nuk mund ta ndalë rrugën e pajtimit dhe ballafaqimit me të kaluarën, duke theksuar se respektimi i viktimave është parakusht për paqe të qëndrueshme mes popujve.
Autoritetet serbe ende nuk kanë dhënë detaje shtesë mbi rrjedhën e hetimeve, ndërsa rasti ka ngjallur reagime të shumta në opinionin publik, për shkak të qëndrimeve politike dhe veprimeve të mëparshme të Stojkoviqit./Qendra.INFO

