Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka reaguar pas sulmit dhe kapjes së Nicolas Maduros në Venezuelë, duke theksuar se ish-presidenti nuk është një udhëheqës legjitim.
“Maduro NUK është presidenti i Venezuelës dhe regjimi i tij nuk është qeveri legjitime,” ka shkruar Rubio. Ai ka shtuar se Maduro është kreu i kartelit narkoterrorist Los Soles dhe akuzohet për trafikim të drogës drejt Shteteve të Bashkuara.
Sipas deklaratës së Sekretarit amerikan, Maduro ka kontrolluar një organizatë kriminale që funksionon brenda vetë një shteti dhe është i paditur për trafik ndërkombëtar droge. Reagimi i Rubio vjen menjëherë pas operacionit të forcave speciale amerikane në Karakas, që solli ndalimin e ish-presidentit dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores.
Ky reagim nënvizon përplasjet e vazhdueshme mes Shteteve të Bashkuara dhe regjimit të Venezuelës, sidomos pas akuzave për trafik droge dhe aktivitet kriminal të organizuar nga vetë udhëheqësi i mëparshëm./Qendra.INFO

