Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se e ka ndjekur arrestimin e ish-presidentit venezuelian, Nicolás Maduro, në kohë reale nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, së bashku me gjeneralët ushtarakë.
Në një intervistë për “Fox News”, Trump tha se gjeneralët e informuan se asnjë shtet tjetër në botë nuk mund të kryente një operacion të tillë. Ai përshkroi momentin si “sikur të shohësh një show televiziv”, duke theksuar shpejtësinë dhe profesionalizmin e forcave të përfshira.
“Sikur ta shihnit shpejtësinë, dhunën dhe koordinimin… ishte e mahnitshme. Punë e mrekullueshme nga këta njerëz. Askush tjetër s’mund të bëjë diçka të tillë”, tha Trump.
Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se e ka ndjekur të gjithë aksionin dhe e cilësoi atë si një operacion kompleks, që kërkonte planifikim dhe koordinim të jashtëzakonshëm.
Ky koment vjen pas operacionit spektakolar të forcave speciale amerikane, që solli ndalimin e Maduronit dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, në Venezuelë./Qendra.INFO

