Sytë e opinionit publik ndërkombëtar janë përqendruar te zhvillimet në Venezuelë, ku presidenti Nicolás Maduro dhe bashkëshortja e tij u kapën nga forcat amerikane dhe pritet të transferohen drejt New York-ut, ku do të përballen me akuza të rënda.
Duke folur për mediat, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka dhënë detaje mbi momentet e fundit përpara kapjes së Maduros. Sipas tij, presidenti venezuelian ndodhej në banesën e tij dhe tentoi të strehohej në një dhomë të blinduar çeliku për t’i shpëtuar operacionit.
“Mund ta kishim vrarë. Maduro tentoi të hynte në një dhomë tërësisht prej çeliku, por nuk arriti ta mbyllte derën, sepse djemtë tanë ishin më të shpejtë. Gjatë operacionit pati rezistencë dhe shkëmbim zjarri,” deklaroi Trump.
Ai theksoi se forcat amerikane kishin kapacitetin për të thyer derën e blinduar, por objektivi i misionit ishte kapja e Maduros dhe jo eliminimi i tij fizik.
Trump komentoi gjithashtu faktin se Kongresi amerikan nuk ishte njoftuar paraprakisht për operacionin. Sipas tij, arsyeja ishte rreziku i rrjedhjes së informacionit. “Kongresi ka prirje për rrjedhje informacioni. Nëse detajet do të ishin bërë publike më herët, rezultati do të kishte qenë ndryshe,” u shpreh presidenti amerikan.
Operacioni në Venezuelë po konsiderohet si një nga zhvillimet më të bujshme politike dhe të sigurisë në fillim të këtij viti, ndërsa priten reagime të mëtejshme nga aktorë ndërkombëtarë dhe institucionet përkatëse./Qendra.INFO

