Sahati i Gjirokastrës konsiderohet një nga simbolet më të veçanta të qytetit dhe një nga orët më unike në gjithë Ballkanin, jo vetëm për përmasat e tij, por edhe për historinë që mbart.
Në vitin 1968, ora e sahatit u soll nga qyteti i Shkodrës, ndërsa po atë vit u ndërtua edhe Kulla e Sahatit në Gjirokastër. Ora fillestare kishte një diametër prej vetëm 70 centimetrash, çka e bënte të vështirë dallimin e saj në përmasat urbane të qytetit. Për këtë arsye, u ndërmor një proces i kujdesshëm për zgjerimin e fushës së sahatit, i cili kërkoi mjeshtëri dhe përkushtim të veçantë.
Këmbana e sahatit daton që nga viti 1940, duke i dhënë kësaj ore një vlerë të shtuar historike. Me kalimin e viteve dhe pas disa ndërhyrjeve në kullë, u vlerësua se fusha e sahatit duhej të zmadhohej sërish, derisa arriti diametrin mbresëlënës prej 2.5 metrash.
Me këto përmasa, Sahati i Gjirokastrës konsiderohet unik dhe pa të ngjashëm në gjithë rajonin e Ballkanit. Sipas traditës së kohës, ora kurdisej një herë në javë, një ritual që i jepte asaj një karakter të veçantë.
Një rol kyç në historinë e sahatit ka pasur Ajdin Loloci, i cili në vitin 1968 punoi për zgjerimin e fushës së sahatit dhe është personi i parë që ka prekur akrepat e Sahatit të Gjirokastrës. Ai është kujdesur për mirëmbajtjen e tij ndër vite dhe rikthimi i funksionimit të sahatit përbën për të një emocion të veçantë, një lidhje të rrallë mes njeriut dhe një simboli të qytetit.
Sahati i Gjirokastrës nuk është thjesht një mjet për matjen e kohës, por një dëshmi e gjallë e historisë, punës dhe pasionit njerëzor që vijon të rrahë në zemër të qytetit të gurtë./Qendra.INFO

