Gazetari Vehbi Kajtazi ka reaguar me tone të ashpra përmes një postimi në Facebook, duke sulmuar njëkohësisht pushtetin aktual dhe opozitën tradicionale në Kosovë.
Sipas Kajtazit, pa “zhdukjen nga skena politike” të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, nuk mund të rrëzohet nga pushteti kryeministri Albin Kurti, të cilin ai e cilëson si “diktator”.
Ai thekson se beteja politike duhet të zhvillohet në dy drejtime: fillimisht, sipas tij, duhet “çliruar populli opozitar” nga partitë tradicionale opozitare, e më pas të sfidohet pushteti aktual.
“Askush, kurrë, asnjë autokrat nuk është rrëzuar me votë”, shkruan Kajtazi, duke shtuar se autokratët, sipas tij, rrëzohen në të njëjtën mënyrë siç kanë ardhur në pushtet – përmes presionit qytetar dhe protestave.
Në postimin e tij, Kajtazi përmend edhe shembuj ndërkombëtarë, duke theksuar se në Kosovë nuk ka nevojë të pritet ndërhyrja e askujt nga jashtë, por se qytetarët duhet ta marrin vetë iniciativën.Në fund, ai paralajmëron dalje në rrugë dhe thotë se vetë do të jetë pjesë e protestave kundër kryeministrit Kurti, duke ftuar kritikët në rrjetet sociale që “të shihemi në shesh”./Qendra.INFO

