Reshjet e mëdha të shiun në24 orët e fundit kanë rënduar gjendjen në disa rajone të Kosovës.
Si pasojë e këtyre reshjeve, disa komunat janë prekur edhe nga vërshimet.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar së reshjet do të vazhdojnë, ndërsa komunat kanë ftuar qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë.
IHK ka njoftuar se nga vërshimet është prekur pjesa perëndimore e Kosovës, përfshirë Gjakovën, Junikun, Deçanin, Malishevën dhe Klinën, si dhe në disa zona të pjesës qendrore të vendit.
“Si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit, në disa zona të vendit, konkretisht në pjesën perëndimore (Gjakovë, Junik, Deçan, Malishevë, Rahovec, Klinë, etj.), si dhe në pjesën qendrore, janë shkaktuar vërshime lokale. Si rezultat, disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtretërit e tyre. Këto reshje, me intervale dhe intensitet të ndryshëm, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, duke mundësuar paraqitjen e vërshimeve lokale, probleme në komunikacion, në sistemet e kanalizimit, si dhe vështirësi në trafik. Aktualisht, lumenjtë kryesorë të vendit, veçanërisht ata në pjesën qendrore, lindore dhe jugore (Ibri, Sitnica, Lepenci, Morava e Binçës, etj.), paraqesin ngritje të lehta të nivelit të ujit”, është thënë në njoftim.
Deri me tani, më e prekura nga vërshimet është Komuna e Malishevës.
Kjo komunë ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj qytetarëve, për shkak të gjendjes së rënduar të krijuar nga reshjet e pandërprera të shiut që kanë përfshirë territorin e komunës.
“Shtabi Emergjent për menaxhimin e situatave emergjente u bën apel të gjithë qytetarëve të Komunës së Malishevës që të shmangin lëvizjet e panevojshme, për shkak të gjendjes së rënduar të krijuar nga reshjet e pandërprera.“Shumë rrugë janë bllokuar nga uji si pasojë e rritjes së nivelit të lumenjve dhe përroskave, duke e vështirësuar qarkullimin. Andaj, lusim qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë dhe, në rastet kur lëvizja është e domosdoshme, të shfrytëzojnë rrugët alternative.”, është thënë në njoftim

