Prishtinë, 7 janar 2026 – Pas rezultateve zhgënjyese në zgjedhjet nacionale të 28 dhjetorit, Lidhja Demokratike e Kosovës po përballet me tensione të thella të brendshme. Një debat televiziv ka nxitur një përplasje publike mes dy kandidatëve për deputetë nga radhët e kësaj partie, Shqipe Pantinës dhe Sokol Havollit.
Gjatë paraqitjes së saj në emisionin “Debat Plus”, Pantina ka adresuar kritika të drejtpërdrejta ndaj udhëheqjes së LDK-së dhe procesit të reformimit të partisë, të udhëhequr nga kryetari Lumir Abdixhiku. Ajo ka deklaruar se LDK-ja ka humbur orientimin politik duke u fokusuar kryesisht në opozitë ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, pa ofruar një alternativë të qartë për qytetarët.
“Një parti politike nuk ekziston vetëm për t’i bërë opozitë dikujt në pushtet. Ajo duhet të përfaqësojë vlera, parime dhe një vizion alternativ. Këtu ka qenë huqja e LDK-së”, ka thënë Pantina, duke theksuar gjithashtu mungesën e punës në terren dhe distancimin e udhëheqjes nga strukturat lokale.
Ajo ka kritikuar edhe procesin e reformës së brendshme, duke e cilësuar atë si të papërfunduar dhe të gabuar në qasje.
“Reforma është lënë në gjysmë. Nuk mund të largohen strukturat e vjetra dhe t’u jepet hapësirë personave pa përvojë politike, sepse kjo krijon rezistencë brenda anëtarësisë”, është shprehur Pantina.
Reagimi i saj ka nxitur kundërpërgjigje të ashpër nga Sokol Havolli. Përmes një reagimi publik në rrjete sociale, ai e ka akuzuar Pantinën për dëmtim të partisë nga brenda.
“Çka të duhen kundërshtarë politikë kur disa janë brenda? Shqipe Pantina, pas çdo dështimi politik personal, sonte ia dha edhe një goditje LDK-së. A je mirë? Apo kaq të ka mjaftu?”, ka shkruar Havolli.
Kjo përplasje e hapur ka nxjerrë në pah ndasitë e thella brenda LDK-së, në një periudhë kur partia pritet të bëjë analiza të brendshme për rezultatin zgjedhor dhe drejtimin e saj të ardhshëm politik./Qendra.INFO

