Prishtinë, 7 janar 2026 – Bekim Jashari, djali i heroit Hamëz Jashari, ka reaguar publikisht pas deklaratave të analistit Nexhmedin Spahiu, lidhur me flamurin kombëtar në Kompleksin Memorial të familjes Jashari në Prekaz.
Spahiu, duke komentuar mundësinë që Murat Jashari të ishte kandidat për president të Kosovës, ka deklaruar se një gjë e tillë do të duhej të kushtëzohej me heqjen e flamurit kombëtar shqiptar dhe vendosjen e flamurit të Kosovës në varrezat e Jasharëve.
Këto deklarata kanë nxitur reagime të shumta në opinionin publik, ndërsa Bekim Jashari ka zgjedhur të përgjigjet përmes një postimi në rrjetin social Facebook.
Ai ka publikuar një fotografi së bashku me Besarta Jasharin, në të cilën shihet edhe flamuri kuq e zi, duke e shoqëruar me një mesazh simbolik dhe emocional.
“Amanet na e lanë të parët, brez pas brezi e djalë pas djali. Me gjakun dhe sakrificën e tyre u rritëm ne, për të të mbajtur lart me krenari. Valo, o flamuri më i bukur në botë”, ka shkruar Jashari.
Reagimi i tij është interpretuar si një kundërshtim i drejtpërdrejtë ndaj idesë së ndryshimit të simboleve në Kompleksin Memorial të Jasharëve, i cili konsiderohet një nga vendet më të rëndësishme simbolike të historisë së Kosovës./Qendra.INFO

