Autoritetet amerikane kanë sekuestruar një tanker nafte të lidhur me Venezuelën në Oqeanin Atlantik, në kuadër të një operacioni të udhëhequr nga Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare, me mbështetjen e ushtrisë amerikane.
Sipas një zyrtari amerikan që ka folur për NBC News, tankeri “Marinera”, i njohur më herët me emrin “Bella-1”, u ndalua pasi kishte arritur të kalonte bllokadën detare amerikane ndaj anijeve të sanksionuara që transportojnë naftë nga Venezuela. Forcat amerikane ndodhen aktualisht në bordin e anijes, ndërsa operacioni vazhdon të menaxhohet nga Departamenti i Sigurisë Kombëtare, raportojnë edhe mediat ndërkombëtare, përfshirë Sky News.
Sekuestrimi ndodhi pasi ekuipazhi i tankerit kishte refuzuar disa herë përpjekjet e Rojës Bregdetare Amerikane për t’u ngjitur në bord. Mediat ruse raportojnë se gjatë operacionit ishte e pranishme edhe një nëndetëse ruse, ndërsa një helikopter – që dyshohet se transportonte trupa amerikane – tentoi të ulej mbi tanker.
Ky është rasti i dytë brenda dy javësh që forcat amerikane ndalojnë një tanker në rajon, vetëm pak ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi vendosjen e një bllokade ndaj anijeve të sanksionuara që hyjnë ose dalin nga Venezuela.
Analistët vlerësojnë se ky veprim mund të rrisë më tej tensionet gjeopolitike mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, në një kohë kur situata ndërkombëtare mbetet e ndjeshme./Qendra.INFO

