Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një memorandum presidencial, i cili urdhëron të gjitha degët ekzekutive të fillojnë procesin e tërheqjes së SHBA-së nga 66 organizata, konventa dhe traktate ndërkombëtare që sipas Qeverisë së Uashingtonit “janë në kundërshtim me interesat kombëtare amerikane”
Sipas dokumentit zyrtar të Shtëpisë së Bardhë, SHBA do të ndalojë pjesëmarrjen dhe financimin e 35 organizatave jashtë niveleve të Kombeve të Bashkuara dhe 31 entiteteve të OKB-së, përfshirë grupe dhe agjenci që merren me çështje si klima, energjia, zhvillimi, migrimi, punësimi dhe të drejtat e njeriut.
Administrata amerikane thotë se ky vendim synon “të rivendosë sovranitetin amerikan” dhe të ndalojë mbështetjen e institucioneve që ajo i sheh si joefektive, të panevojshme ose në konflikt me interesat e vendit. Kritikat ndaj këtij vendimi janë të ashpra nga ekspertë të klimës, të drejtave të njeriut dhe diplomacisë, të cilët paralajmërojnë se tërheqja e SHBA-së mund të dobësojë bashkëpunimin global në sfidat më kritike, si ndryshimet klimatike, emergjencat shëndetësore dhe zhvillimi social.
Ky është një hap i konsiderueshëm në politikën e jashtme amerikane, që vjen në vijim të vendimeve të mëparshme të administratës për të dalë nga Organi Botëror i Shëndetit, UNESCO dhe këshilli i të drejtave të njeriut të OKB-së. /Qendra.INFO

