Meliza Haradinaj, këshilltare e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, është lidhur sonte në emisionin “Pressing” në T7, ku ka reaguar ndaj deklaratave të gazetarit Baton Haxhiu lidhur me takime të mundshme të presidentes për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Haradinaj i ka mohuar kategorikisht pretendimet e Haxhiut, duke thënë se ai as në mënyrë direkte e as indirekte nuk ka ndërmjetësuar ndonjë takim të presidentes Osmani, e aq më pak takime ku, sipas saj, janë dhënë garanca për zbatimin e Asociacionit.
“Presidentja Osmani asnjëherë nuk ka pasur takime që janë ndërmjetësuar qoftë edhe indirekt nga Baton Haxhiu, e aq më pak takime ku ka dhënë garanca për zbatimin të Asociacionit. Kjo është një gënjeshtër e pastër”, deklaroi Haradinaj.
Pas kësaj deklarate, gazetari Baton Haxhiu reagoi ashpër ndaj këshilltares së presidentes, duke vënë në pikëpyetje mënyrën e saj të komunikimit dhe përvojën profesionale.
“Meliza, e para nuk kam çka të bëj me edukatën tënde, sepse jo rrallë herë e mban këtë nivel të edukatës. T’i thuash dikujt gënjeshtër duhet të kesh argumente, sepse ti as nuk e njeh këtë zanat dhe as nuk e ke pasur kurrë”, tha Haxhiu.
Përplasja verbale në studio ka nxitur reagime të shumta, duke rikthyer në fokus debatin publik rreth dialogut Kosovë–Serbi, Asociacionit dhe rolit të mediave në këto procese.Qendra.INFO

