Deçan, 13 janar 2026 – Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur pas mesnatës në një kafiteri në Deçan, ku tre persona kanë mbetur të plagosur, ndërsa i dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes.
Sipas Policisë, rreth orës 00:15 është raportuar për të shtëna me armë zjarri në një lokal. Njësitet policore kanë reaguar menjëherë dhe në vendngjarje kanë hasur një zyrtar policor jashtë detyre, i cili kishte arritur ta arrestojë të dyshuarin.
Brenda kafiterisë janë gjetur të shtrirë tre persona të plagosur, të identifikuar si Daut Cacaj, Dejan Simiq dhe Radovan Millosheviq. Ekipet e emergjencës nga QKMF-Deçan u kanë dhënë ndihmën e parë dhe më pas viktimat janë dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit e Stacionit Policor në Deçan, njësia e hetimeve rajonale të Pejës, si dhe prokurori kujdestar nga Prokuroria Themelore në Pejë. Gjatë ekzaminimit, policia ka sekuestruar armën e dyshuar të përdorur në rast, si dhe tri gëzhoja.
I dyshuari, Ismet Zukaj, është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit kujdestar. Rasti është iniciuar si “Vrasje e mbetur në tentativë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Shënim: Personat e përmendur prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata.

